Përkufizimet

Agim

drita e parë e mëngjesit para lindjes së diellit.

Aksident trafiku

ngjarje në rrugë në të cilën merr pjesë së paku një mjet në lëvizje, në të cilin si pasojë një apo më shumë persona kanë vdekur deri tridhjetë (30) ditë pas aksidentit, ose janë lënduar, ose është shkaktuar dëm material. Aksident i trafikut nuk konsiderohet kur makina e punës, motokultivatori, traktori apo karroca gjatë kryerjes së punëve rrëshqet, rrokulliset, ndeshet me ndonjë pengesë natyrore gjatë lëvizjes nëpër rrugë të pa kategorizuar apo nëpër punishte ku nuk merr pjesë ndonjë mjet tjetër ose këmbësor dhe në këtë ngjarje personit tjetër nuk i shkaktohet dëm material.

Anashkalim

kalimi me mjet pranë një mjeti tjetër të ndalur a të parkuar, ose pranë një objekti që gjendet në shiritin e trafikut nëpër të cilin lëviz mjeti rrugor.

Autobus

mjet motorik që shërben për transport të udhëtarëve, dhe i cili përveç ulëses së shoferit i ka së paku edhe tetë ulëse të tjera.

Autobus i shkollës

mjet motorik që shërben për transport të fëmijëve, përkatësisht të nxënësve

Automjet

çdo mjet që lëviz në rrugë me fuqi të motorit të vet, i cili sipas konstruksionit, pajisjeve, veglave e pajimeve është paraparë për transport të personave, përkatësisht të ngarkesave / mallit, për kryerje të punëve a për tërheqje të mjeteve të bashkëngjitura, përveç mjeteve që lëvizin nëpër binarë.

Automjetet nën përcjellje

automjetet të cilat përdorin pajisje sinjalizuese me drita të kuqe të kaltër dhe pajisje akustike me intensitet të ndryshueshëm, si dhe me automjete të zakonshme të policisë gjatë sinjalizimit kur bëjnë përcjelljen e personalitete shtetërore ose mjetet tjera të autorizuar të cilët bëjnë përcjelljen e personaliteteve.

Automjet udhëtarësh

mjet që shërben për transport të personave, i cili përveç ulëses së shoferit ka më së shumti tetë (8) ulëse.

Autoudhë

rrugë publike që shërben vetëm për lëvizje të mjeteve motorike, e cila është e shënuar me shenjë të posaçme të trafikut dhe e cila i ka dy shirita rrugorë të ndarë fizikisht për lëvizje nga kahe të kundërta. Shiriti rrugor duhet t’i ketë së paku dy shirita të trafikut me gjerësi së paku 3,5 metra, varësisht nga konfiguracioni i terrenit dhe me nga një shirit për ndalje emergjente në të dy anët e autoudhës, me gjerësi së paku 2,5 metra.

Bashkësi mjetesh

mjet me veprim motorik dhe mjetet e bashkangjitura, të cilat në trafikun rrugor marrin pjesë si tërës.

Biçikletë

mjet rrugor që ka së paku dy (2) rrota dhe që lëviz me fuqinë e shoferit.

Dëm material i vogël në aksident trafiku

dëmi i shkaktuar në objekte dhe në mjet ku vlera maksimale e dëmit të vogël do të përcaktohet me një vendim nga organi kompetent.

Dukshmëri e dobësuar

rrethanë kur nuk mund të vihet re a të dallohet qartë ambienti në të cilin ndodhet pjesëmarrësi në trafik, në përgjithësi prej muzgut deri në agim, si dhe gjatë kushteve të vështira atmosferike nga agimit deri në muzg.

Fushëpamje e kufizuar

hapësira e kufizuar të cilën pjesëmarrësi në trafik mund ta shohë nga vendi ku gjendet, për shkak të rrugës me kthesa të padukshme, me kurrize apo për shkak të ndonjë pengesë fizike, të ndonjë objekti apo të ngjashme.

Gjysmërimorkio

mjet i bashkëngjitur pa boshtin e përparmë, i konstruktuar në atë mënyrë që një pjesë e masës së tërësishme të saj mbartet në mjetin tërheqës nëpërmjet pjesës së vet të përparme, me anën e së cilës mbështetet në mjetin tërheqës.

Hapësirë në rrugë e caktuar për kontroll

hapësirë e caktuar për kryerje të kontrollimit fillestar apo më të detajuar të rregullsisë teknike në rrugë, e cila mund të jetë e pajisur me pajisje të montuar në mënyrë të përhershme për testim.

Ishull i këmbësorëve

sipërfaqe e ngritur ose e shënuar në një mënyrë tjetër, e cila gjendet në rrugën qarkulluese dhe e cila është caktuar për qëndrim të përkohshëm të këmbësorëve të cilët kalojnë nëpër rrugën për hyrje ose dalje nga mjeti që kryen transport publik.

Kamion/mjet transportues

çdo automjet që shërben për transportim të ngarkesës.

Kapacitet i mjetit

masa e lejuar deri në të cilin mjeti rrugor lejohet të ngarkohet, sipas deklaratës së prodhuesit të mjetit.

Katërçikletë

mjet me veprim motorik me katër rrota, tek e cila, nëse lëviz me energji elektrike, masa e zbrazët pa bateri nuk i kalon katërqind (400) kg nëse është paraparë për transport të udhëtarëve, përkatësisht pesëqind e pesëdhjetë (550) kg nëse është e paraparë për transport të mallrave, ndërsa forca e motorit nuk i kalon pesëmbëdhjetë (15) kW.

Katërçikletë e lehtë

mjet me veprim motorik me katër rrota tek e cila, nëse lëviz me energji elektrike, masa e zbrazët pa bateri nuk i kalon treqind e pesëdhjetë (350) kg, kapaciteti i punës së motorit me benzinë nuk është më i madh se pesëdhjetë (50) cm³, kurse fuqia më e madhe e motorit nuk i kalon katër (4) kW; nëse ka të bëjë me lloj tjetër të motorit, në rrugë të rrafshët nuk mund të zhvillojë shpejtësi më të madhe se dyzet e pesë (45) km/h.

Këmbësor

pjesëmarrës në trafik që nuk drejton mjet rrugor, as që transportohet nga ndonjë mjet rrugor, apo person i cili me fuqinë e vet shtyn apo tërheq karrocë dore, qerre kafshësh apo ndonjë mjet me lëvizje me veprim motorik, ndonjë mjet transportues të fëmijëve, biçikletë apo karrocë lëvizëse për njerëz të paaftë, apo person me karrige lëvizëse, i cili e lëviz mjetin me fuqinë e vet ose me fuqinë e motorit nëse lëviz me shpejtësi të njeriut që ec, apo person i cili rrëshqet me patina, me ski, me sajë apo me rrotëza etj.

Kokë tërheqëse

mjet transportues që shërben për tërheqje të gjysmërimorkios.

Kolonë e këmbësorëve

grupi i organizuar i këmbësorëve të drejtuar nga udhëheqësi ose nga komanduesi i tyre.

Kolonë e mjeteve

vargu i së paku tri mjeteve, përveç biçikletave, traktorëve, makinave të punës a qerreve që tërhiqen nga kafshë, mjete që janë të ndaluara në rrugë apo që lëvizin në shirit të njëjtë të trafikut në të njëjtin kah gjatë të cilit shpejtësia e lëvizjes së tyre dhe veprimi i shoferëve janë të kushtëzuara në mes vete dhe në mes të cilave mjete nuk mund të hyjë në mënyrë të papenguar mjeti tjetër.

Kontraktues

personi fizik ose juridik, i autorizuar nga Ministria apo komuna për mirëmbajtje të rrugëve, për zhvendosje të mjeteve apo për shërbime të tjera në kuadër të këtyre institucioneve.

Kryqëzim

çdo kryqëzim, bashkëngjitje apo ndarje e rrugëve në të njëjtin nivel.

Kthim gjysmërrethor

kthim i mjetit për njëqind e tetëdhjetë (180) shkallë nga kahu i deritashëm i lëvizjes me qëllim të ndërrimit të kahut të lëvizjes.

Kujdes i veçantë

kujdes i shtuar dhe përshtatje e sjelljes së pjesëmarrësit në trafikun rrugor sipas kushteve dhe situatave në rrugë.

Lëshim i mjetit

veprim të cilin në kushte të caktuara shoferi është i obliguar ta bëjë me ndalje të mjetit, me zvogëlim të shpejtësisë së lëvizjes ose me ndërprerje të veprimit të cilin e kryen me mjet dhe në atë mënyrë nuk e detyron shoferin e mjetit tjetër që ta ndërrojë drejtimin ose të frenojë me vrull.

Makinë pune

mjet me veprim motorik, si: cilindri, kositësja, buldozeri, ngarkuesja me pirun, gërmuesi etj, që shërben për kryerje të punëve të caktuara me veglëri dhe me pajisje të veta, sipas vetive të tij konstruktive, i cili nuk mund të lëvizë me shpejtësi më të madhe se dyzet (40) km/h.

Masë e mjetit të zbrazët

masa e mjetit të zbrazët pa ekuipazh, pa udhëtarë, pa ngarkesë, me rezervar të plotë të karburantit, si dhe me veglat e pajimet e detyruara për mjetin.

Masë e përgjithshme

masa efektive e mjetit rrugor së bashku me masën e ngarkesës që transportohet me mjet, duke përfshirë edhe masën e personave që gjenden në mjet, si dhe masën e mjetit të bashkëngjitur me ngarkesë, në qoftë se i është shtuar mjetit tërheqës.

Masë më e madhe e lejuar

masa më e madhe e lejuar e mjetit bashkë me ngarkesën e mjetit.

Ministria

Ministria përkatëse për transport.

Mjet bletarie

automjet ose mjet i bashkëngjitur, i projektuar ose i konstruktuar vetëm për bartje të bashkësive të bletëve dhe të cilit nuk i lejohet të bartë asnjë ngarkesë tjetër.

Mjet bujqësor

mjet me ose pa veprim motorik që përdoret për qëllime bujqësore a pyjore.

Mjet i bashkëngjitur

mjet rrugor, i konstruktuar si rimorkio apo gjysmërimorkio, që shërben për tërheqje nga mjeti motorik.

Mjet i kombinuar

mjet që shërben për transport të personave dhe sendeve, masa më e madhe e lejuar e të cilit nuk i kalon tremijë e pesëqind (3.500) kg.

Mjet i vjetër

mjet i cili është i regjistruar si objekt muzeu ose është i përfshirë në regjistrin qendror të materialeve kombëtare trashëgimore.

Mjet i zjarrfikësve

automjet apo/dhe mjet i bashkëngjitur, që shërben për fikje të zjarrit.

Mjet nyjor

bashkësia e mjetit e cila përbëhet nga mjeti tërheqës dhe nga mjeti i bashkëngjitur, të lidhura ndërmjet vete me një mekanizëm nyjor.

Mjet për bartje të kafshëve

mjet i cili shfrytëzohet për bartje të kafshëve.

Mjet për kampim

automjet ose mjet i bashkëngjitur, i konstruktuar veçanërisht në atë mënyrë që në të ketë pajisje të përforcuara për mjeti, një pjesë e të cilave kur nuk nevojiten, palosen për të zënë më pak hapësirë, si: karriget me tavolinë, krevati (i cili mund të fitohet me tërheqje të karrigeve, elementet e kuzhinës dhe hapësirën për vendosje të rrobave, dhe të cilat mundësojnë përdorimin si mjet kampimi.

Mjet që lëviz ngadalë

mjet që lëviz me ndihmën e fuqisë motorike dhe që nuk mund të zhvillojë shpejtësi më të madhe se njëzet e pesë (25 km/h).

Mjet rrugor

çdo mjet transporti që lëviz nëpër rrugë, përveç karrocave lëvizëse pa motor për persona me aftësi të kufizuara dhe mjeteve transportuese të fëmijëve.

Mjet special

mjet rrugor ose mjet i bashkëngjitur, i cili shërben për kryerje të punëve dhe tek i cili kërkohet konstruksion dhe pajisje speciale.

Mjet turistik

mjet apo mjet i bashkëngjitur për qëllime të veçanta, i konstruktuar ose i përshtatur vetëm për nevoja turistike.

Moped

mjet me dy ose me tri rrota, tek i cili pa marrë parasysh mënyrën se si vihet në lëvizje, shpejtësia e konstruksionit nuk i kalon dyzet e pesë (45) km/h, kapaciteti i punës së motorit me djegie të brendshme është deri në pesëdhjetë (50) cm3 ose me fuqi të vazhdueshme që vihet në lëvizje me elektromotor i cili nuk e kalon fuqinë katër (4) kW.

Motoçikletë

automjet me dy rrota me ose pa rimorkio anësore, i cili lëviz me fuqi të motorit të vet, me vëllim punues të motorit mbi pesëdhjetë (50) cm3 dhe me mundësi zhvillimi të shpejtësisë së lëvizjes mbi dyzet e pesë (45) km/h.

Motokultivator

mjet me veprim motorik i cili e ka vetëm një bosht të konstruktuar për tërheqje, për shtyrje a për bartje të veglave të ndërrueshme që shërbejnë për punë të ndryshme bujqësore, përkatësisht për t’i vënë në lëvizje ato vegla, apo për tërheqje të rimorkios.

Motoudhë

rrugë publike e paraparë vetëm për lëvizje të automjeteve, e cila është e shënuar si e tillë me shenjë përkatëse të trafikut.

Muzg

koha pas perëndimit të diellit deri në errësim.

Ndalje

çdo ndërprerje e lëvizjes së mjetit në rrugë në kohëzgjatje deri në tre minuta, pos ndërprerjes e cila bëhet për të vepruar sipas shenjës apo rregullës me të cilat rregullohet trafiku.

Ndalje urgjente

ndërprerje e lëvizjes kur mjeti është i papërdorshëm për shkak të avarisë ose kur duhet të ndalet për ndonjë arsye tjetër.

Ndërrim i shiritit të trafikut

kalim me mjet prej një shiriti në shiritin tjetër të trafikut për lëvizje në të njëjtin kah, për shkak të rreshtimit ose lëvizjes më të shpejtë.

Ngarkesë boshtore

pjesa e masës së përgjithshme të mjetit me të cilin boshti i mjetit e ngarkon sipërfaqen e rrugës kur mjeti rrugor ndodhet në gjendje të palëvizshme.

Parkim

çdo ndërprerje e lëvizjes së mjetit në rrugë në kohëzgjatje më shumë se tre minuta, pos ndërprerjes e cila bëhet për të vepruar sipas shenjës apo rregullës me të cilat rregullohet trafiku.

Pengim i trafikut

veprim në trafik në kundërshtim me dispozitat e trafikut, me të cilin një pjesëmarrës e detyron pjesëmarrësin tjetër ta ndërrojë mënyrën e deriatëhershme të pjesëmarrjes në trafik.

Përballëkalim

kalim me mjetin rrugor pranë mjetit tjetër i cili lëviz nga kahu i kundërt nëpër të njëjtën rrugë.

Pjesëmarrës në aksident trafiku

person i cili është i përfshirë në çfarëdo mënyre në aksident në trafikun rrugor.

Pjesëmarrës në trafik

person i cili në çfarëdo mënyre merr pjesë në trafikun rrugor.

Qerre

mjet rrugor që shërben për transport dhe që tërhiqet nga kafshët.

Raporti evropian i aksidentit

dokument publik i cili përdoret gjatë shkaktimit të aksidenteve në trafikun rrugor me dëme të vogla materiale, i cili lëshohet nga organi kompetent.

Rimorkio e lehtë

mjet i bashkëngjitur, masa më e madhe e lejuar e të cilit nuk është më e madhe se shtatëqind e pesëdhjetë (750) kg.

Rimorkio

mjet rrugor i bashkëngjitur, i konstruktuar në atë mënyrë që masën e tërësishme nëpërmjet akseve të veta ta mbartë mbi rrugën qarkulluese.

Rrezikim i trafikut

mënyrë e sjelljes në trafik për shkak të së cilës vjen deri te rreziku i drejtpërdrejtë për të shkaktuar aksident në trafik.

Rrip i sigurisë

mekanizëm i cili e ka një shirit me kapëse të sigurt që lidhet me pajisje të bashkëngjitur e cila është e përforcuar në automjet. Është i konstruktuar në atë mënyrë që ta kufizojë lëvizjen e trupit në rast ngadalësimi të vrullshëm të automjetit apo në rast të një aksidenti, duke e zvogëluar rrezikun e lëndimit të përdoruesit të tij.

Rrjedhë e trafikut

lëvizje e mjeteve të cilat nëpër rrugë lëvizin në të njëjtin kah.

Rrugë e pashtruar / rrugë dheu

rrugë pa sipërfaqe të ndërtuar rrugore dhe pa shtresë rruge, e cila madje as në pikën e lidhjes me rrugën publike nuk ka sipërfaqe të ndërtuar rruge.

Rrugë qarkulluese

pjesa e sipërfaqes rrugore që shërben në rend të parë për lëvizje të mjeteve rrugore.

Sistem i mbajtjes

sistemi i përbërë i ulëses e cila në mënyrë përkatëse është e përforcuar në konstruksion të automjetit dhe për rripi të sigurisë së paku me një kapëse në ulëse.

Shenjat e trafikut rrugor

sistemi i shenjave të trafikut, si: semaforët, sinjalet ndriçuese, shënimet në rrugë, pajisjet dhe pajimet e tjera për rregullim teknik dhe menaxhim të trafikut si sistem unik e të ngjashme.

Shirit i biçikletave

pjesa e rrugës që shërben për lëvizje të biçikletave dhe të mopedëve, e cila shtrihet përgjatë rrugës qarkulluese që është e shënuar me vijë gjatësore në rrugën qarkulluese.

Shirit i trafikut

sipërfaqja e paraparë për qarkullim, gjerësia e së cilës është e mjaftueshme për zhvillim normal të trafikut të një rendi mjetesh rrugore.

Shirit i trafikut anësor

pjesa e rrugës qarkulluese në rrugët nacionale ku shiritat rrugorë janë të ndarë fizikisht, që shërben për lëvizje të mjeteve pa motor dhe të mjeteve të ngadalshme me veprim motorik, si: traktori, makinat e punës, motokultivatori apo të ngjashme.

Shirit i trafikut për mjete të ngadalshme

pjesa gjatësore e shënuar, që shërben për mjete të rënda dhe për mjete të tjera, të cilat me lëvizje të ngadalshme e zvogëlojnë rrjedhën e trafikut.

Shirit i trafikut për ngadalësim

pjesa e rrugës qarkulluese që shërben për dalje të mjeteve nga rrjedha e trafikut në rrugë.

Shirit i trafikut për ndalje të detyrueshme

pjesa gjatësore e shënuar në autoudhë, në vende të caktuara në rrugët e një rangu më të lartë, si: në tunele, në galeri apo të ngjashme.

Shirit i trafikut për nxitim

pjesa e rrugës qarkulluese që shërben për hyrje të mjeteve në rrjedhën e trafikut nga një rrugë dytësore, përkatësisht nga rrugë të tjera hyrëse, si: nga pompat e derivateve, nga vendet e caktuara për parkim, si dhe nga objekte të tjera pranë rrugës.

Shirit rrugor

pjesa gjatësore e rrugës qarkulluese që shërben për lëvizje të mjeteve rrugore në një kah me një apo me më shumë shirita të trafikut.

Shofer

pjesëmarrësi në trafik i cili e drejton mjetin rrugor.

Shofer fillestar

shoferi i cili e ka marrë patentën e shoferit të kategorisë A, A1, A2 ose B, B1 qe jo më shumë se dy (2) vjet.

Shofer i ri

shofer i moshës deri në njëzet e katër (24) vjeç, me përjashtim të shoferit i cili të drejtuarit e mjetit e ka profesion themelor.

Shteg i biçikletave

sipërfaqja e trafikut e ndërtuar posaçërisht për lëvizje të biçikletave dhe të mopedëve që shtrihet përgjatë rrugës qarkulluese, që është e ndarë nga rruga dhe që është e shënuar me shenjë të caktuar të trafikut.

Shtojcë traktori

veglëri e zëvendësueshme për kryerje të punëve bujqësore e të punëve të tjera, të cilat i tërheq, i shtyn ose i bart traktori.

Tejkalim

kalimi me mjet pranë mjetit tjetër rrugor që lëviz në të njëjtin kah.

Trafik në rrugë

lëvizje e mjeteve, e këmbësorëve, si dhe e pjesëmarrësve të tjerë që qarkullojnë në rrugë publike apo në rrugë të pakategorizuara që shfrytëzohen për trafik publik.

Traktor bujqësor a pyjor

mjet me veprim motorik që lëviz me rrota dhe që ka së paku dy boshte, funksioni kyç i të cilit qëndron tek fuqia tërheqëse dhe që në mënyrë të veçantë shërben për të tërhequr, për të shtyrë, për të bartur a për të operuar me mjete, me makina a me rimorkio që përdoren në bujqësi a në pylltari, ndërsa funksion dytësor e kanë shfrytëzimin e tyre për transport të personave e të mallrave në rrugë dhe për tërheqje në rrugë.

Tramvaj

mjet që lëviz mbi binarë me rrymë elektrike dhe që shërben për transport publik, i cili për t’i dhënë motorit energji elektrike është i lidhur me përçues elektrik.

Triçikletë

mjet me veprim motorik me tri rrota, i vendosur në mënyrë simetrike, tek i cili vëllimi i motorit është mbi pesëdhjetë (50) cm3 dhe i cili në rrugë të rrafshët mund të zhvillojë shpejtësi më të madhe se 45 km/h.

Triçikletë e lehtë

mjet me veprim motorik me tri rrota, i konstruktuar ashtu që shpejtësia nuk i kalon 45 km/h, pavarësisht nga mënyra e transmisionit, tek i cili vëllimi i motorit me djegie të brendshme me benzinë nuk është mbi pesëdhjetë (50) cm3 dhe fuqia më e madhe efektive e të cilit nuk i kalon katër (4) kW nëse mjeti ka motor me djegie të brendshme me lloj tjetër të karburantit ose tek i cili fuqia nominale e përhershme nuk i kalon katër (4) kW kur mjeti punon me energji elektrike.

Trolejbus

mjet që shërben për transport të personave i cili përveç ulëses së shoferit ka më shumë se tetë (8) ulëse dhe i cili për t’i dhënë motorit energji elektrike është i lidhur me përçues elektrik.

Trotuar

sipërfaqja e rregulluar pranë rrugës posaçërisht për lëvizje të këmbësorëve, e cila nuk është në nivel me rrugën qarkulluese ose është e ndarë në mënyrë tjetër nga rruga.

Ulëse

struktura e cila mund të jetë pjesë e konstruksionit të automjetit dhe e cila së bashku me shtresën është e paraparë për ulje të një personi, si dhe pjesën e ulëses së sigurisë për fëmijë.

Vendkalim hekurudhor

pjesa e rrugës e cila kalon përtej binarëve hekurudhorë ose të tramvajit në të njëjtin nivel, e cila mund të jetë e siguruar fizikisht me mbrojtëse dhe gjysmë mbrojtëse, me shenja të trafikut apo e pasiguruar.

Vendkalim për këmbësorë

pjesa e sipërfaqes së rrugës qarkulluese që shërben për kalim të këmbësorëve nëpër këtë shtresë, e cila është shënjuar me shenja përkatëse.

Vendkalim për biçikleta

pjesa e sipërfaqes së rrugës qarkulluese që shërben për kalim të biçikletave dhe të mjeteve të tjera që lëvizin nëpër shiritin apo shtegun e biçikletave, e cila është e shënjuar me shenja përkatëse.

Vendndalim i autobusit

pjesa e një sipërfaqeje të rrugës që shërben për ndalje të autobusëve me qëllim që të hyjnë dhe të dalin udhëtarët dhe që është e shënuar me shenjë përkatëse të trafikut.

Zonë e Forcës së Sigurisë së Kosovës

sipërfaqe apo gjatësi rruge afër kazermave të FSK-së, ku ndalohet ndalja e mjeteve pa leje speciale apo pa autorizim të veçantë.

Zonë e këmbësorëve

sipërfaqe e ndërtuar e trafikut që shërben në rend të parë për lëvizje të këmbësorëve, në të cilën iu ndalohet lëvizja mjeteve me veprim motorik, përveç atyre me leje të veçantë.

Zonë e shkollës

pjesa e rrugës apo rrugë lagjeje, e cila gjendet në afërsi të shkollës dhe e cila duhet të jetë e shënuar me shenjë të posaçme të trafikut.

Zonë e trafikut të qetë

zonë në një qendër të banuar, e shënuar me shenjë përkatëse të trafikut, në të cilën mjetet nuk duhet të lëvizin me shpejtësi më të madhe se lëvizja e këmbësorit dhe në të cilën lojërat për fëmijë janë të lejuara në tërë zonën.

Zonë urbane

vetëm territori i qytetit apo qytezës, në të cilin hyrjet dhe daljet duhet të jenë të shënuara me shenja përkatëse të trafikut.